Kryetarja e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla, ka uruar Lendrit Iljazin për zgjedhjen e tij kryetar i Forumit Rinior të partisë “Guxo” si dhe të gjithë anëtarët e Kryesisë, në forumin e mbajtur dje.
“Lendrit Iljazit, kryetarit të sapozgjedhur të Forumit Rinor të partisë Guxo dhe të gjithë anëtarëve të zgjedhur të kryesisë, ju uroj suksese në punën e tyre.
Në shtetin më të ri në Evropë, me qytetarët me moshën më të re dhe më optimiste në rajon, ky Forum Rinor do të jetë epiqendra e ideve dhe veprave për një Parti Guxo dhe një Kosovë më dinamike, në hap me kohën, zhvillimet dhe përparimin ekonomik, shoqëror e teknologjik evropian”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka thënë se organizatorëve të Kuvendit iu takon një falënderim i posaçëm për organizimin përtej çdo pritjeje reale. Më shumë se 200 delegatë, në mesin e më shumë se 300 pjesëmarrësve, të rinj e të reja nga e gjithë Kosova, ia dhanë madhështinë e merituar themelimit të Forumit Rinor të partisë më të re në Kosovë.
Deklarata e Partisë Guxo rreth themelimit të Forumit Rinor:
Guxo po rritet e po zgjerohet
Rinia dhe guximi shpesh janë sinonime, ndërsa të dyjat gjithmonë përbëjnë sinergjinë për arritje të mëdha.
Të rrethuar nga qindra të reja e të rinj të buzëqeshur, energjikë, entuziastë, ambiciozë e guximtarë nga çdo skaj i Republikës së Kosovës, sot Partia Guxo bëri edhe një hap drejt rritjes e zgjerimit të saj: themeloi Forumin Rinor të partisë.
Në një proces transparent e demokratik, rreth 300 pjesëmarrës zgjodhën për kryetar të Forumit Rinor të Partisë Guxo, Lendrit Iljazin, i cili falenderoi t’gjithë të rinjtë që ia besuan atij këtë detyrë, por edhe t’gjithë që kanë besuar e punuar dhe vazhdojnë të besojnë e punojnë për vizionin dhe misionin politik të Partisë Guxo.
Forumi Rinor i Partisë Guxo filloi punën e vet menjëherë, duke zgjedhur Kryesinë e vet, të përbërë nga të reja e të rinj të talentuar, energjikë, të vyeshëm, ambiciozë e të guximshëm.


