Kosova ka vazhduar me barazime në kualifikimet për Euro 2024. Të premten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova luajti pa gola ndaj Rumanisë.
“Dardanët” e kanë dërguar topin në rrjetë, por goli i shënuar është anuluar për pozitë jashtë loje. Në minutën e 69-të, Edon Zhegrova goditi me kokë pas krosimit të Bersant Celinës. Topi përfundoi në rrjetë dhe arbitri pranoi golin. Pos pas rishikimit të situatës në sistemin VAR, arbitri holandez, Danny Makkelie anuloi golin për ofsajd.
Fare në fund, në minutën e 92-të, Vedat Muriqi lëshoi rast të artë. Muriqi goditi nga zona, por topi shkoi mbi portë.
Kosova në mars kishte barazuar 1:1 në udhëtim me Izraelin dhe më pas në shtëpi me Andorrën. Tani i ka tri pikë, katër më pak se Rumania që mbetet e dyta. Zvicra udhëheq në grup me nëntë pikë, ndërsa Kosova e mban vendin e tretë. Andorra e Izraeli kanë nga një pikë, ndërsa Bjellorusia mbetet pa pikë.
Kosova ka dominuar ndeshjen, përkundër gjendjes shumë të rëndë të fushës për shkak të reshjeve të shiut.
Kosova ka rrezikuar në pjesën e parë nëpërmjet Florent Muslijës, Vedat Muriqit dhe Bersant Celinës. Në pjesën e dytë raste të mira kishin Mërgim Vojvoda e Zhegrova, por pa konkretizim. Ndërkohë rumunët kanë rrezikuar herë pas here, por pa krijuar ndonjë rast të artë. Megjithatë morën pikë të madhe që rrit gjasat e tyre për kualifikim në Evropian.



