Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, të 146 më radhe dhe në të i ka miratuar dy nisma që kanë të bëjnë me krijimin e lehtësirave dhe bashkëpunimit me Shqipërinë.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin në lehtësimin e procedurave në pikat e Inspektimit Kufitar për produktet me origjinë jo shtazore.
“Marrëveshja synon të promovojë tregtinë, heqjen e barrierave dhe lehtësimin e procedurave të kontrollit duke pasur parasysh marrëdhëniet e zhvilluara deri tash dhe duke synuar forcimin dhe shtrirjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e bujqësisë”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se Qeveria e Kosovës e ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim arsimor dhe shkencor me përfitim reciprok mes të dyja vendeve.
Ndërkaq të mërkurën, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti bashkë me qeveritë që drejtojnë do të takohen në Gjakovë.
Kështu është bërë e ditur nga zyra e kryeministrit Kurti
“Të mërkurën, më 14.6.2023, në Gjakovë do të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”.


