Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Në mbledhje nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësues të Lëvizjes vetëvendosje, por as ata të LDK-së.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kjo dëshmon se pushteti është jo serioz karshi deputetëve e qytetarëve.
Madje ai tha se kjo është e dëmshme për vendin dhe se po dëshmohet se pa opozitën shumë procese nuk po mund të kalohen, duke përmendur reformën zgjedhore.
“Nuk arriti të mbahet mbledhja, nuk ishin përfaqësues të pozitës, ishte një dështim i mbledhjes së Kryesisë. Nuk po arrijnë që të bëjnë shumicën as në kryesi as në Kuvend. Dështimi është i dëmshëm, ne jemi pakica në atë kuvend, megjithatë kemi luajtur rol të rëndësishëm. Përmbyllëm reformën zgjedhore, për shtet muaj si deputetët arritëm me përmbyll një proces të rëndësishëm”
“Pajisjet, ky është një skandal në vete, Kuvendi nuk e ka asnjë statistikë se si kanë votuar, ekziston numri total, mirëpo nëse duhet të dihet si ka votuar një grup nuk dihet se qysh kanë votuar, kjo është mjerim, është tmerr, është katastrofë, kjo i ka konvertuar pushtetit duke lënë mjegull”, shtoi ai.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri tha se Qeveria e Kosovës ka për qëllim vazhdimin e varfërimit të vendit.
Tutje ai ka përmendur edhe sanksionet nga ShBA-ja, derisa theksoi se Kosova tashmë është e izoluar.
Tahiri, ka treguar se e kanë thirrur në interpelancë ministrin e Financave, Hekuran Murati për mungesën e investimeve kapitale
“Edhe sot dështoj mbledhja e kryesisë, të etjen do të kemi një seancë të vazhdimit dhe janë dy çështje që dua ti adresojë. Në i kemi të thirrur ne interpelancë ministrin Hekuran Murati për koeficientin që është tepër zhgënjyes dhe për mungesën e investimeve kapitale në Kosovë, por kjo nuk do të ndodhë sepse nuk ka seancë”, tha deputeti i AAK-së.
Sipas tij, Kosova është e izoluar dhe e sanksionuar nga SHBA-ja, por siç tha ai, kryeministri Albin Kurti e Kuvendi “po e injorojnë këtë”.
“Kosova është izoluar, është e sanksionuar nga ShBA, kryeministri dhe Kuvendi është duke e injoruar një situatë që është brengë. Kjo qasje e tregon jo seriozitetin e trajtimit të temës, dhe vazhdimi i kësaj qeverie është vazhdimi i varfërimit të vendit”, theksoi ai.



