Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se puna e Policisë së Kosovës dhe përkushtimi për sundim të ligjit, “na bën partner serioz e të besueshëm edhe për institucionet e sigurisë të vendeve tona aleate e mike”.
Me anë të një postimi në Facebook, ministri i këtij dikasteri ka theksuar se vetëm ditëve të fundit, është arritur konfiskimi i një veture e cila ishte në kërkim nga autoritetet gjermane si dhe është arrestuar një person të kërkuar nga Mali i Zi, me urdhër arrest ndërkombëtar.
“Kemi mirëpritur falënderimet e veçanta nga pala gjermane e ajo malazeze, të cilave i ritheksojmë përkushtimin në bashkëpunimin tonë”.
Sipas tij, këto raste janë dëshmi të profesionalitetit të Policisë së Kosovës, i cili siç thotë Sveçla nuk mungon asnjëherë, në asnjë rast.
Policia gjermane dhe malazeze kanë falënderuar Policinë e Kosovës për bashkëpunim profesional
Policia gjermane, në këtë rast zyrtarët nga Policia Krahinore e Krimit në Berlin, kanë adresuar një falënderim të veçantë Policisë së Kosovës në lidhje me konfiskimin e veturës së përvetësuar BMW 320 më 05.0.2023 në Mitrovicë Veri, e cila ishte në kërkim nga autoritetet gjermane.
Përmes bashkëpunimit profesional me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), po ashtu edhe angazhimit të jashtëzakonshëm dhe veprimit të shpejtë e profesional, të zyrtarëve policorë nga DRP Mitrovicë Veri, është arritur të gjendet dhe konfiskohet vetura BMW (vlera e përafërt 65.0000 €) e përvetësuar në Berlin.


