Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se një mërgimtar nga Gjermania, bashkë me partnerë gjermanë po investojnë mbi 4 milionë euro në impiantin e parë me biogaz në Kosovë me kapacitet prej 500 kW, i cili do të prodhojë 4.12 GWh energji elektrike dhe 4.12 GWh energji termike në vit.
Rizvanolli tha se impianti do të furnizojë rreth 1000 shtëpi me energji 24/7 e kështu do të ulë emetimin 2700 ton dioksid karboni në vit.
Sipas saj, projektet inovative si ky mund të jenë zgjidhje e mirë për sisteme të ngrohjes qendrore në qytetëza të vogla e në fshatëra. Ky impiant do të punësojë rreth 20 punëtorë, përfshirë inxhinierë e bujq, të cilët do të mbjellin 300 hektarë toke me misër e grur i cili pasi fermentohet shndërrohet në gaz për përdorim në këtë impiant, ose edhe në imipante tjera në Kosovë.
“Duke krijuar ambient të shëndoshë të biznesit, vizion e strategji të qartë po krijojmë kushte që investitorët e vendit, diasporës e të huaj të zhvillojnë projekte që e bëjnë Kosovën destinacion atraktiv për investime inovative si ky që i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe punësimit”, shkroi Rizvanolli.


