Rusia tha edhe një herë të martën se për t’i ulur tensionet në Kosovë, duhen “hapa vendimtarë”.
“Ne i bëjmë thirrje Perëndimit që përfundimisht ta ndalë propagandën e tij të rreme dhe, për incidentet në Kosovë, të ndalojë së fajësuari serbët, të cilët janë paqësorë, të paarmatosur dhe bëjnë përpjekje t’i mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre legjitime”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë, transmeton Reuters.
Protestuesit serbë u përplasën të hënën me paqeruajtësit e KFOR-it në Zveçan.
Tridhjetë ushtarë të KFOR-it dhe mbi 50 protestues u plagosën në përleshje.
KFOR-i tha se tre ushtarë të tij janë plagosur nga përdorimi “i armëve të zjarrit” gjatë përplasjeve me protestuesit serbë.
Një ditë më herët, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se situata në Kosovë është alarmante dhe se mund të provokojë një tjetër konflikt në qendër të Evropës.
Rusia, e cila ka nisur pushtimin e fqinjit të saj, Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, është aleate e Serbisë dhe mbështet vazhdimisht veprimet e saj kundër shtetësisë së Kosovës.
Kurse po sot Kina shprehu mbështetjen e saj për përpjekjet e Serbisë “për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, pas përleshjeve mes protestuesve serbë në Zveçan dhe trupave paqeruajtëse të NATO-s.
Partia në pushtet në Kinë, është prej kohësh kritike e aleancës së NATO-s.
Mospajtimet me të burojnë pjesërisht nga bombardimi i Ambasadës kineze në Beograd, gjatë fushatës ajrore të aleancës më 1999, që i dha fund luftës në Kosovë.
“Ne kundërshtojmë veprimet e njëanshme të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, duke iu referuar Qeverisë së Kosovës.


