Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Lewis Hamilton ka marrë një ofertë interesante. Drejtuesit e skuadrës së Ferrerit janë gati t`i ofrojnë atij një kontratë prej 40 milionë funte për të qenë në skuadrën e tyre nga sezoni i ardhshëm.
Në Maranello besojnë se Lewis Hamilton do të kishte një mundësi të madhe për të fituar titullin e botës për herë të tetë.
Presidenti i kompanisë John Elkann është në kontakt me Hamiltonin, kontrata e të cilit me Mercedes skadon në fund të vitit.
Sipas mediave angleze, Ferrari ka dy opsione me Hamiltonin – e para është të ketë Charles Leclerc si partner sezonin e ardhshëm, që do të nënkuptonte largimin e Carlos Sainz në një ekip tjetër.
Një tjetër opsion është të sakrifikohet Leclerc për të sjellë Hamiltonin, që praktikisht do të ishte një shkëmbim, ku Hamilton do të kalonte te Ferrari dhe Leclerc do të ishte me George Russell në Mercedes.
Tani gjithçka varet nga Hamilton, i cili duhet të vendosë vetë, paratë nuk do të jenë vendimtare, sepse të dyja skuadrat i ofrojnë kushte pothuajse të barabarta.
Një nga gjërat që mund të ndikohet është dëshira e babait të Hamiltonit që djali i tij një ditë të vozisë për Ferrarin.
Vendimi që duhet të marrë Hamilton do të varet kryesisht nga fakti nëse në të ardhmen e afërt, me shpërblimet dhe përmirësimet në makinë, Mercedes do të jetë në gjendje t’i afrohet Red Bullit.
Nëse ata arrijnë të bëjnë modifikimet e dëshiruara, ai mund të vendosë lehtësisht të qëndrojë dhe të refuzojë ofertën e Ferrarit.
Ndërkohë, garat në Formula 1 vazhdojnë fundjavën e ardhshme me Çmimin e Madh të Monacos.



