Ceremonia e fillimit të stërvitjes “Defender Europe 2023” filloi me antonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, nga orkestra frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Defender Europe 2023” drejtohet nga ushtria amerikane. Kosova është mikpritëse e mbi 1 mijë trupave. Ushtrimet do të kryhen në Bokë dhe aeroportin e Gjakovës.
Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, në fjalën e saj, tha se ka nderin që qëndron para ushtarakëve që janë gardian të paqes e lirisë në një botë gjithnjë më komplekse e sfiduese.
“Ju qëndroni të bashkuar nën kauzën e vetme, të përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin e rritur ndërveprimin midis forcave aleate”, tha Osmani-Sadriu.
Ajo tha se ky ushtrim është kujtesë se forca nuk qëndron vetëm në armë, por edhe lidhjet tona dhe aleancën e përbashkët.
“Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol për ta ruajtur paqen nga një botë që po sfidohet për çdo ditë. Së bashku ne jemi më të fortë nga forcat që tentojnë të na ndajnë. Objektivi i “Defender Europe ’23”, është që ta shpërfaqë artilerinë ushtarake më të madhe dhe së bashku mund ta bëjmë kontinetin më të sigurt”, tha Osmani.
Presidentja tha se objektivi kryesor i kësaj stërvitjeje është shfaqja e fuqisë ushtarake për të siguruar paqen.
Duke lidhur këtë stërvitje edhe me Skënderbeun, ku edhe po mbahet ceremoni e hapjes, ajo tha se ai ishte strategu dhe mbrojtësi i perëndimit.
“E krahas tij, është shtatorja e Ibrahim Rugovës, presidentit historik që ishte edhe arkitekti i pavarësisë sonë, vizioni i të cilit ishte i mishëruar në vlerat perëndimore e pro demokratike”, tha Osmani-Sadriu.
Ajo tha se kjo stërvitje përkon edhe me 24 vjetorin e çlirimit të Kosovës. “Është ditë aq e freskët sa edhe ndërhyrja e NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit. Ne ishim viktima e regjimi i Millosheviqit ishte agresori”.
Presidentja tha se lufta e Kosovës për liri. “Kjo është ë vërteta e vetme që do ta mbrojmë çdoherë e kudo”.
Ajo deklaroi se ushtarakët do ta kurorëzojnë angazhimin gjatë. “Le të shërbejë kjo stërvitje ndërkombëtare si triumf i shpirtit njerëzor dhe vullnetit të paepur të ushtarëve si ju”.


