Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka marrë pjesë në ceremoninë e Themelimit të Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare.
Peci, përmes një postimi në Facebook, tha se Kosova dhe Austria ndajnë një histori plot me sfida. Sipas tij, edhe Kosova, sikurse Austria synon ta arrijë integrimin e plotë në vlerat evropiane.
“Kosova dhe Austria ndajnë një histori plot sfida. Austria ka ecur në rrugën e lirisë duke rifituar pavarësinë dhe sovranitetin e saj dhe më vonë duke qenë në qendër të integrimit evropian. Ashtu sikurse Austria edhe vendi ynë Kosova, synon ta arrijë integrimin e plotë në vlerat evropiane”, ka shkruar Peci në Facebook.
Sipas ministrit Peci, Kosova synon të arrijë në mesin e vendeve e kombeve evropiane, për të vazhduar për të kontribuuar në aspektin ekonomik si pjesë ose element i paqes dhe stabilitetit dhe të zgjerojë mundësitë për qytetarët tanë.
“Angazhimet për të ndërtuar ura miqësie kanë hedhur themelet për partneritet më të begatë në sektorë të ndryshëm ndërmjet dyja vendeve, duke përfshirë këtë rast edhe sektorin e bujqësisë”, ka shtuar ai.


