Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar Ylfete Fanajn, që është zgjedhur ministre e kantonit të Luzernit, e para me prejardhje kosovare që merr një detyrë të tillë ekzekutive.
Osmani ka thënë se Fanaj është frymëzim për gratë dhe vajzat kosovare dhe dëshmi se me punë arrihet çdo gjë.
“Në vitin 2021, pata kënaqësinë ta takoj znj. Ylfete Fanajn, në cilësinë e kryetares së Parlamentit të Luzernit në Zvicër dhe ta përgëzoj për sukseset e saj prej vitesh në shtetin helvetik. Ajo dëshmoi zell dhe vendosmëri për përmirësimin dhe avancimin e politikave për të gjitha komunitetet pa përjashtim. Sot, kam kënaqësinë ta uroj me zemër që u bë ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive. Ylfetja është frymëzim për gratë e vajzat tona dhe dëshmi se me punë dhe përkushtim gjithçka është e arritshme. Ajo është ndër përfaqësueset më të denja të mërgatës sonë, e cila është pjesë vitale e shtetit të Kosovës. E nderuar Ylfete, të prifshin sukseset dhe qofsh urë e fortë lidhëse e Republikës së Kosovës me Zvicrën!”, ka thënë Osmani.
Politikania me prejardhje nga Kosova, Ylfete Fanaj, është zgjedhur ministre në Qeverinë e Kantonit të Luzernit në Zvicër.
Përmes saj, Partia Social Demokrate arriti të rikthehet në Qeverinë e Luzernit të Zvicrës, shkruan swissinfo.ch, ndërsa jep edhe detaje për zgjedhjet e fundit dhe kush sa vota i mori.
“PS-ja arriti të rikthehet në Qeverinë e Luzernit me Ylfete Fanaj të dielën – pas tetë vitesh mungesë. U zgjodh gjithashtu kandidati për SVP Armin Hartmann. Kështu, ekzekutivi është i kompletuar dhe dukshëm me më shumë gra se në tetë vitet e fundit”, thuhet mes tjerash në artikullin e mediumit zviceran.


