Gjykatës Themelore në Ferizaj ka marrë vendim për t’ia kthyer pozitën e drejtorit Arben Zeqirit në i SHFMU “Lasgush Poradeci” në Muzeqinë të Shtimes, pasiqë të njëjtit iu kishte ulur pozita nga Komuna e Shtimes me arsyetimin se Zeqiri ka bërë shkelje ligjore duke marrë pjesë në fushatën zgjedhore lokale të vitit 2021, të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në një përgjigje për KosovaNews, shefja e kabinetit të Kryetarit të Shtimes Anita Kurti, ka thënë se Zeqiri krahas detyrës së drejtorit të shkollës ka kryer edhe aktivitete politike që sipas Udhëzimit Administrativ (MASH).
“Z. Zeqiri është udhëheqës politik i zgjedhur më 12 dhjetor 2018, ku është emëruar kryetar i Nëndegës së PDK-së për fshatin Muzeqinë. Pra, z. Zeqiri krahas detyrës së drejtorit të shkollës ka kryer edhe aktivitete politike gjë që sipas Udhëzimit Administrativ (MASH) Nr.151/2020 për Detyrat dhe Përgjegjësitë e Drejtorit dhe Zëvendësdrejtorit të Institucionit Publik Edukativo-Arsimor dhe Aftësues Para universitar në Republikën e Kosovës, Procedurat e Zgjedhjes dhe Emërimit, Përfundimit të Kontratës dhe Emërimit të Përkohshëm, ka bërë shkelje ligjore duke thyer parimin bazë për zgjedhjen dhe emrimin e një drejtori duke shkelur parimin e ligjshmërisë dhe de politizimit (Neni 2).”, ka thënë Kurti për KosovaNews.

Ajo ka thënë se, Zeqiri ka shkelur Nenin 11, pika 1.5.6 të po këtij udhëzimi administrativ të lartpërmendur duke marrë pjesë në aktivitete politike duke politizuar arsimin, qe sipas saj ky veprim është i kundërligjshëm me detyrat e tij si drejtor i një institucioni arsimor.
“Gjithashtu z. Zeqiri edhe në kohën kur është zgjedhur drejtor ka nënshkruar Deklaratën nën Betim, më 30. 7. 2020 që vërteton se në tri vitet e fundit kandidati nuk ka qenë në asnjë funksion udhëheqës në strukturat e partive politike, mirëpo përsëri ka shkelur udhëzimin e sipërpërmendur, përkatësisht Nenin 5, ngase ky më 12. 12. 2018 ka qenë i zgjedhur kryetar i Nëndegës së PDK-së në Muzeqinë.”, u shpreh Kurti .

Ajo ka deklaruar se për t’u zgjedhur drejtor i një institucioni arsimor, kandidati duhet të ketë licencë të rregullt të mësimdhënësit, gjë të cilën z. Zeqiri nuk e posedon në dosjen e tij kur ka aplikuar për këtë pozitë dhe sipas saj, përsëri edhe kjo është një shkelje ligjore e Nenit 5.
“Pra, arsyeja e vetme që është shkarkuar nga pozita e drejtorit është pjesëmarrja e tij aktive në aktivitete politike, gjë e cila bie në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.”, ka thënë Kurti.

Ajo u shpreh se si përfundim i gjithë kësaj, Zeqiri është shkarkuar nga pozita e drejtorit të shkollës “Lasgush Poradeci” dhe i njëjti është kthyer në vendin e tij të punës pedagog në SHFMU “Lasgush Poradeci”, ku aktualisht edhe punon.
Ndërkaq, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Kurti ka thënë për KosovaNews se Komuna e Shtimes ka parashtruar ankesë sipas afatit ligjor në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.





