Një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në përbërje të deputeteve Arbëreshë Hyseni-Kryeziu dhe Fjolla Ujkani, si dhe nga administrata e Kuvendit, Agnesa Haxhiu, Visar Krasniqi dhe Labinot Smakaj, nën mbikëqyrjen e Laura Bajrushi nga Ambasada e Amerikës në Prishtinë, po merr pjesë në programin “Open World” në ShBA.
Fillimisht delegacioni qëndroi në Washington, ku u takua me kongresistët Jim McGovern (Massachusetts), Marc Veasey (Texas), si dhe me ndihmësin e kongresistit Ritchie Torres (New York).
Delegacioni përmbylli aktivitetet në Washington me takimin e realizuar me stafin administrativ të Komisionit për Mbikëqyrje dhe Llogaridhënie.
“Programi po vazhdon me aktivitetet e radhës në Bismarck/North Dakota. Në këto aktivitete u përfshinë edhe takimet me senatorë të këtij shteti dhe personelin e tyre. Qëllimi i këtij programi është shkëmbimi i përvojave në fushën e mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit dhe përfshirja e palëve të interesit në ligjbërje. Vizita është mbështetur nga Ambasada e Amerikës në Prishtinë”, njofton Kuvendi i Kosovës.


