Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, ka thënë se është për keqardhje që Lista Serbe ka bojkotuar zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës. Konrad për “Kurir” ka thënë se serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione të Kosovës.
“Serbët e Kosovës, të cilët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, duhet të kthehen në to sa më shpejtë të jetë e mundur. Ky, meqë ra fjala, është edhe një obligim nga Marrëveshja e Brukselit, siç është edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po, Asociacioni duhet të zbatohet sa më shpejt, jemi të vendosur për këtë”, tha Konrad.
Ajo tha se Asociacioni “është obligim kyç i Kosovës në dialog” dhe se duhet krijohen parakushte për të dhe atë pa vonesa. Por, Konrad thotë se edhe Serbia duhet të zbatojë gjitha obligimet që ka marrë. Ajo tha se propozimi është pranuar nga të dyja palët dhe e kanë obligim ta zbatojnë atë pa asnjë diskutim e kushte të reja.
“Të dyja palët do të përfitojnë konkretisht nga zbatimi i marrëveshjes, sepse tensionet aktuale janë helm për të ardhmen e njerëzve, për investimet ekonomike dhe vendet e punës dhe pa normalizim të marrëdhënieve s’do të ketë anëtarësim në BE”, tha Konrad.


