Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi gjatë ditës së sotme ka vizituar qendrën e votimit në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.
Radoniq u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në votime.
Ai tha se procesi i votimit deri tani është duke shkuar në rregull dhe nuk është raportuar për ndonjë telashe.
“Erdhëm t’i vizitojmë qendrat e votimit, po e shohim që procesi po shkon me rregull, nuk ka problem. I ftoj qytetarët që të dalin në zgjedhje dhe në këtë mënyrë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të votojnë institucionet legale demokratike. I kemi ndërmarrë të gjithë masat që ky proces të shkojë në rregull, me qetësi. Shpresojmë që të përfundojë i qetë, i bëj thirrje qytetarëve të votojnë në mënyrë masive të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, ka thënë Radoniqi para gazetarëve.
E veçanta e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme është se po mbahen për herë të parë pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në përjashtim të një kandidateje të pavarur, dhe nga gjithsej 19 qendra, 6 janë të rregullta dhe 13 alternative.
Në katër komunat veriore janë gjithsej 19 qendra të votimit me 34 vendvotime, ndërsa të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 persona.


