Policia e Kosovës ka njoftuar se në Ferizaj ka arrestuar një 21-vjeçar i cili dyshohet se për tetë ditë ka vjedhur tri vetura dhe ka tentuar të vjedhë një tjetër veturë dhe në dy shtëpi banimi.
Në njoftimin e Policisë thuhet se njësia e hetimeve e stacionit të policisë në Ferizaj, nën autorizim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe kishte nisur hetimet për disa vjedhje dhe tentim vjedhje që kanë ndodhur në Ferizaj.
“Policët hetues pas një pune intenzive, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme dhe të identifikojnë të dyshuarin me iniciale M.E. (M/K) i moshës 21 vjeçare, e më pas dje rreth orës 18:00 ta arrestojnë, i cili dyshohet se ka kryer vjedhje dhe tentim vjedhje në Ferizaj”, thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar edhe për datat kur kanë ndodhru rastet.
– me datën 04.04.2023 në rrugën ‘’ Isa Boletini’’ është vjedhur një veturë pikap,
– me datën 04.04.2023 në rrugën ‘’Rexhep Bislimi’’ është vjedhur një veturë e tipit Passat,
– me datën 11.04.2023 në rrugën ‘’Daut Dauti’’ është vjedhur një kamionet e tipit Mercedes,
– me datën 11.04.2023 në rrugën ‘’Rexhep Bislimi’’ është tentuar të vidhet në një shtëpi banimi,
– me datën 11.04.2023 në rrugën ‘’Riza Goga’’është tentuar të vidhet në një shtëpi banimi dhe të vidhet një veturë.
“I dyshuari me M.E. është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit të tij nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa automjetet e vjedhura pas përfundimit të procedurave u janë kthyer pronarëve”, thuhet në njoftim.