Dokumentet e rrjedhura të Pentagonit kanë zbuluar mosmarrëveshjet në aparatin e sigurisë së Rusisë në lidhje me numrin e viktimave në luftën në Ukrainë, raporton BBC.
Ministria e Brendshme e Rusisë është akuzuar se nuk po tregon shifrat e sakta të viktimave.
Rusia ka folur shumë pak publikisht për shkallë e vdekjeve në luftën në Ukrainë.
Por, dokumentet tregojnë se shërbimi i sigurisë i Rusisë (FSB), ka pretenduar se zyrtarët nuk po numëronin vdekjet e Gardës Nacionale të Rusisë, mercenarëve të Wagnerit dhe po ashtu tjerët.
Rusia ka paralajmëruar tashmë se rrjedhjet mund të jenë false, dhe janë “publikuar qëllimshëm nga SHBA-ja”.
Mirëpo, në dokumente tregohet për atë që dihet: se Ushtria e Rusisë dhe grupet e sigurisë kanë mospajtime për mënyrën se si është bërë lufta në Ukrainë dhe Rusia ka evituar të publikojë numrin e të vdekurve dhe të plagosurve.
Llogaritë e bëra nga FSB-ja prej afro 110 mijë të vdekurve deri në shkurt janë ende shumë më pak se shifrat që janë treguar këtë vit në dokumentet e rrjedhura nga SHBA-ja.
Në ato dokumente llogaritet se Rusia ka humbur mes 189.500 deri 223 mijë ushtarë.
Figurat e fundit zyrtare të Rusisë ishin në shtator, kur tha se 5937 ushtarë janë vrarë.
Një dokument tjetër, që është vlerësuar si “top-sekret”, tregon për një “informacion lufte” mes Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë dhe kreut të grupit të mercenarëve Wagner, Yevgeny Prigozhin në shkurt.
Prigozhin vazhdimisht ka akuzuar ushtrinë se po ndalon furnizimin me municion, ndërsa burrat e tij po luftojnë për ta pushtuar Bakhmutin në lindje të Ukrainës.
Në dokument thuhet po ashtu se humbjet e mëdha të Gardës Nacionale të Rusisë, do të pengojë tentimin e “Moskës për të siguruar plotësisht territoret e aneksuara”.
Pak dihet për personin që ka rrjedh dokumentet e Pentagonit, por “Washington Post” ka raportuar se ai është entuziast i armëve në të 20-tat që ka punuar në bazë ushtarake të SHBA-së.
Ai ka publikuar foto të dokumenteve të siguruara.


