Norvegjia ka dëbuar 15 zyrtarë rusë të cilët i ka akuzuar për spiunazh, raporton BBC.
Ministrja e Jashtme e Norvegjisë, Anniken Huitfeldt, ka thënë se Norvegjia nuk do të lejojë Moskën të përdorë Ambasadën e saj për të bërë “aktivitete të spiunazhit”.
Është dëbimi i radhës i diplomatëve rusë. Ka pasur një numër të dëbimeve, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar.
Kremlini ka thënë se do të reagojë në mënyrë të “përshtatshme”.
Autoritetet norvegjeze kanë treguar se kanë monitoruar zyrtarët rusë, para se ata të shpalleshin “non grata”.
Ata duhet të largohen nga Norvegjia së shpejti, por nuk është bërë e ditur më tepër për aktivitetet e tyre.
Norvegjia ndaj 197 kilometra vijë kufitare tokësore me Rusinë në Arktik dhe marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pësuar që nga lufta në Ukrainë.
Ndonëse nuk është anëtare e BE-së, Norvegjia ka ndjekur politikën e jashtme të bllokut dhe i ka vendosur sanksione Rusisë.


