Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka reaguar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla të ndodhur gjatë mbrëmjes të së martës.
Në reagimin e Ambasadës thuhet se sulmet ndaj gazetarëve dhe ndërhyrja në pavarësinë dhe lirinë e tyre të shprehjes shkelin parimet thelbësore demokratike.
“Media luan një rol thelbësor në luftimin e korrupsionit, sigurimin e llogaridhënies dhe transparencës dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve në një demokraci”, është thënë më tej në reagim.
Gazetari Valon Syla është sulmuar fizikisht të martën në mbrëmje nga tre persona që janë arrestuar pas një dite.
Ai është sulmuar fizikisht në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Syla ka pësuar lëndime në kokë ndërsa ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.


