Alejandro Esteso Perez, njohës i raporteve të Spanjës me vendet e Ballkanit, ka thënë se me ardhjen e kryeministrit Pedro Sanchez, qëndrimi i Spanjës karshi Kosovës është bërë më konstruktiv dhe jo-penguese si në të kaluarën. Megjithatë, ai s’pret njohje të Pavarësisë nga Spanja.
Perez ka theksuar se Madridi do të vazhdojë ta observojë situatën në Ballkanin Perëndimor dhe jo të reagojë, edhe pas Marrëveshjes së Ohrit mes kryeministrin të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Mendoj se qeveria aktuale në Madrid, e cila aktualisht është koalicion i qendrës së majtë, është ulur paqësisht në shtëpi dhe po pret që të ndodhë diçka dhe po pret për një marrëveshje. Nuk jam i sigurt nëse kjo është marrëveshja që po pret Madridi me qëllim që të reagojë. Është një opsion më i sigurt, të themi, që të pres dhe të observojë situatën siç ka qenë duke bërë historikisht qëkur Kosova shpalli pavarësinë. Qëndrimi i qeverisë, siç ka qëndruar qeveria, gradualisht është bërë më konsturktiv. Që prej vitit 2010 e tutje kemi pasur një qeveri të qendrës së djathtë, që po kundërshtonte çdo mendim për njohje, por kjo ka qenë konsistente në tërë spektrin politik. Qeveria aktuale me kryeministrin Pedro Sanchez, ka treguar njëfarë dëshire që të mos jetë penguese siç ishte në të kaluarën”, ka thënë ai në KTV.
I pyetur për deklaratën e sekretarit të shtetit spanjoll, Pascual Navarro, i cili ka thënë se nuk do ta mbështesë Kosovën dhe do ta kundërshtojë në çdo vendim për anëtarësim në BE, Perez është shprehur se kjo është shenjë që qëndrimi i Spanjës mund të bëhet shumë dekonstruktiv.
“Është e kundërta e asaj që po them dhe mund të jetë shenjë e rëndësishme, një vërejtje e rëndësishme se qëndrimi mund të bëhet më pak konstruktiv dhe më shumë dekonstruktiv. Spanja po bëhet gati për presidencën e Këshillit të BE-së dhe për zgjedhjet që do të mbahen në fund të vitit 2023. Janë shumë fronte të hapura që Spanja ka në vëmendje sesa çështjet jo fort të rëndësishme siç janë Ballkani Perëndimor, e veçanërisht njohja e Kosovës”, ka thënë Perez.
Perez ka thënë se për Spanjën, Ballkani Perëndimor nuk ka shumë rëndësi gjeopolitike. Sipas tij, fokusi i Spanjës është në Amerikën Latine dhe Karaibet për shkak të historisë, gjuhës dhe kulturës. Në fokus janë edhe shtetet në veri të Afrikës, dhe siç thotë Perez, këto do të jenë prioritetet e Spanjës pasi ta merr presidencën e BE-së.
Perez ka theksuar se opinioni në Spanjë për çështjen Prishtinë – Beograd është i bazuar kryesisht në atë se çfarë do Serbia.
“Nëse Serbia është e lumtur, e lumtur do të jetë edhe Spanja. Pra nëse Serbia është e gatshme për ta njohur Kosovën, Spanja nuk do të kishte më pengesë”, ka thënë ai.


