Deputetët e Listës Serbe janë kthyer në Kuvendin e Kosovës, pas pesë muajsh mungesë.
Të enjten ata kanë zënë ulëset e tyre në Kuvend.
Rikthimi i tyre është përcjellë edhe me debat mes deputetësh. Ka qenë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, që iu drejtua deputetit të regjistruar si i pavarur, Adem Hoxha me akuza se në Kuvend vjen “veç për para”.
Po ashtu Abazi i është drejtuar Hoxhës, i cili ndonëse i regjistruar si i pavarur është pjesë e GP të Listës Serbe, edhe me fjalët se “a po doni t’ia shtini flakën naj kerri”, pasi prej kohësh në veri të Kosovës, aty ku Lista Serbe ka pushtet, digjen veturat e qytetarëve serbë që i konvertojnë targat në RKS
Betimi i këtyre deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, është bërë më 17 nëntor 2022. Këta zëvendësuan ata të parët që dhanë dorëheqje si shenjë revolte pse Qeveria e Kosovës vendosi që mos të lejojë më qarkullimin e targave ilegale në veri të vendit.


