Avokati i akredituar nga Dhomat e Specializuara, Florim Vertopi, ka thënë se në fjalën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nuk është paraqitur asnjë provë materiale që lidhet me arsyen e themelimit të Gjykatës Speciale dhe raportin e Dick Martyt.
Në një intervistë në KTV, Vertopi ka thënë se të martën nuk është dëgjuar asnjë provë materiale për këtë.
“Nëse kjo Gjykatë është mbështetur dhe ka dalë prej raportit i cili është miratuar në Këshillin e Evropës se kinse në Kosovës gjatë luftës, ka pasur trafikim me organe, ku në të ka edhe kundërthënie, ku thuhet se fillimisht viktimat janë vrarë e pastaj u janë marrë organet, pastaj thuhet se u janë marr organet e janë vrarë, sot nuk e dëgjuam asnjë provë materiale për këtë”, ka theksuar Vertopi.
“Sot kemi pritur prova të caktuara që mund të lidhen me shkakun e themelimit të kësaj Gjykate, dhe ju e patë që asnjë provë materiale nuk ka dal e që mund ta arsyetojë një veprim të mbështetur në raportin e Dick Martyt, i cili është miratuar në Këshillin e Evropës”, ka shtuar Vertopi.
Ai ka thënë se pret që mbrojta e ish-krerëve të UÇK-së, në vazhdimin e seancës që do të mbahet të martën të bëjë një mbrojte të shkëlqyeshme.
“Sot kemi parë njërën anë të medaljes, e nesër ky popull do ta shohë anën tjetër të medaljes, UÇK-ja ka qenë lëvizje prej popullit, dhe nesër po e quaj do të diskreditohen provat e prokurorit që mund të lidhen me akuzën ‘ndërmarrja e përbashkët kriminale’”, është shprehur Vertopi.
Ai ka thënë se do të ketë ekspertë që do të dëshmojnë për luftën e drejtë të UÇK-së. Sipas tij do të jetë e vështirë që të vërtetohet përgjegjësia komanduese.
“Nëse ka pasur ndonjë krim në përmasë të caktuar individuale, atëherë është shumë vështirë që të vërtetohet edhe përgjegjësia komanduese, sepse atje thotë ‘ndërmarrja e përbashkët kriminale fillon me ta akuzuarit dhe përfundon me ushtarët e UÇK-së’ është shumë e gjerë dhe thotë ose në variantin ‘nga pozita komanduese si eprorë është dashur ta dinë që vartësit e tyre kanë kryer krime’”, ka theksuar Vertopi, duke shtuar se brengoset nga gjatësia e procesit dhe faktit që gjërat në këtë proces janë gjeneralizuar.
Ai ka thënë se nuk ka qenë ithtarë i themelimit të Speciales dhe se do të duhej që Kosova vetë t’i gjykonte krimet e luftës. Sipas tij Policia e Kosovës është dëshmuar që mund të ofrojë siguri për të gjithë dëshmitarët.


