Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se incidentet e ditëve të fundit në veri mund të jenë skenar për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve atje.
Refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, Haradinaj e ka parë si mosgatishmëri të palës serbe për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit.
“Incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë. Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel”, ka shkruar ai në Facebook.
Haradinaj ka shtuar se Kosova dhe Serbia duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, dhe se sipas tij, “presidenti i Serbisë duhet të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme”.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i ka kërkuar BE-së dhe SHBA-së që të shfrytëzojnë mekanizmat e tyre që të mbrojnë të arriturat me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të sponsorizuar prej tyre.
“Në të kundërtën angazhimi i jashtëzakonshëm i të gjitha palëve për këtë marrëveshje, do të mbetej përpjekje pa rezultat. Nëse marrëveshja nuk reflekton me një normalitet në terren, efektet e saj do të jenë të papërfillshme”.
Haradinaj ka inkurajuar që palët të jenë “të pakompromis në vendosmërinë për të mënjanuar të gjithë ata që e rrezikojnë edhe marrëveshjen edhe sigurinë”.


