Në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimin të detyrës së drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT). Me këtë rast gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein ka marrë detyrën e drejtorit të NALT nga gjeneral brigade Joachim Hoppe, i cili e ka drejtuar NALT që nga prilli i vitit 2022.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zv.ministri Shemsi Syla, zv.komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, oficerë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe NALT, si dhe të ftuar të tjerë.
Ministri Mehaj tha se Gjenerali Hoppe ka qenë një figurë instrumentale në rritjen e efektivitetit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke dhënë kontributin e tij në çdo proces që ndihmon në përmbushjen e standardeve të larta të kërkuara për anëtarësimin në NATO.
Tutje shtoi se përkushtimi dhe ekspertiza e tij në çështjet e mbrojtjes kanë qenë të dukshme në fushat e reformës së mbrojtjes, edukimit dhe trajnimit të stafit ushtarak e civil, si dhe planifikimit strategjik.
Në vijim gjeni fjalimin tim adresuar të pranishmëve në ceremoninë e organizuar me këtë rast:
I nderuar kryeministër Kurti,
I dashur gjeneral Hoppe,
I dashur gjeneral Hammerstein,
Të nderuar ambasadorë,
E nderuara znj. Viehe,
Të nderuar ish-ministra,
Të nderuar atashe të mbrojtjes
Të dashur zonja dhe zoterinj,
Kam kënaqësinë që të qëndroj sot para jush për të folur për Drejtorin e Zyrës së Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë, gjeneralin Joachim Hoppe.
Gjenerali Hoppe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës u formuan, u ndërtuan dhe tani po zhvillohen me mbështetjen e paçmim të aleatëve tanë, anëtarëve të NATO-s dhe partnerëve tanë.
Krahas mbështetjes individuale të vendeve partnere të NATO-s, në fillimet e punës së Ministrisë dhe Forcës në vazhdimësi rëndësi të veçantë ka pasur dhe vazhdon të ketë mbështetja përmes Ekipit Këshillimor dhe Ndërlidhës të NATO-s.
Synimi ynë kryesor strategjik është anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO. Prandaj, prioriteti ynë kryesor është ndërtimi i kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s.
Gjenerali Hoppe ka qenë një figurë instrumentale në rritjen e efektivitetit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke dhënë kontributin e tij në çdo proces që ndihmon në përmbushjen e standardeve të larta të kërkuara për anëtarësimin në NATO.
Përkushtimi dhe ekspertiza e tij në çështjet e mbrojtjes kanë qenë të dukshme në fushat e reformës së mbrojtjes, edukimit dhe trajnimit të stafit ushtarak e civil, si dhe planifikimit strategjik.
Nën udhëheqjen e tij, Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s ka luajtur një rol jetik në mbështetjen e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjeneral Hoppe, misioni juaj nuk ishte i lehtë, veçanërisht kur dijmë se keni një familje në shtëpi dhe ju është dashur të lini gruan dhe dy vajzat tuaja që ju mbështetën edhe në këtë rrugëtim, ndaj do të doja t’i falënderoja për mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre.
Gjeneral Hoppe, ju keni qenë një partner i mrekullueshëm dhe unë ju konsideroj një mik të ngushtë. Do të jeni gjithmonë të mirëpritur në Kosovë.
Ju dëshirojmë më të mirën në përpjekjet tuaja të ardhshme.
Mein Freund, du bist imer willkommen in Kosovo.
Qoftë çdo mision i juaj i përcjellur me buzëqeshje, ashtu siç ju keni bërë gjithmonë, madje edhe në ditët më të vështira.
Faleminderit.