Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “shërbimet inteligjente të shqiptarëve në Kosovë po punojnë seriozisht, duke depërtuar edhe në veri”. Ai ka shtuar se shërbimet inteligjente të Serbisë kanë punë “përfshirë edhe në Kosovë e M.”
Vuçiq në një intervistë për “TV Pink” të dielën ka folur edhe për pretendimet e ish-diplomatit Nebojsha Vujoviq, i cili ka thënë se presidenti serb ka bërë çdo gjë që Kosovën ta njohin pesë shtetet e mbetura të BE-së që nuk e kanë njohur.
Vuçiq këto pretendime i ka quajtur gënjeshtra.
“Disa prej tyre nuk janë larg ta njohin. Por, ato kanë qenë në atë pozitë tash e disa vjet”, ka thënë Vuçiq, që ka pyetur se në cilën marrëveshje shkruan njohja nga pesë shtetet e BE-së. “Sigurisht nuk është shkruar askund, kjo është një nga gënjeshtrat e shumta”.
Vuçiqit i është kërkuar informata për formimin e shërbimit inteligjent të Kosovës, ndërsa ai ka thënë se shqiptarët tashmë e kanë një të tillë.
“Po e bëjnë në mënyrë serioze këtë, sidomos infiltrimin në jug është i rëndësishëm. Ata po tentojnë të depërtojnë edhe në veri duke blerë njerëz, para së gjithash, në Leposaviq e Zubin Potok”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se shumë shërbime tjera operojnë “në tërë territorin e Serbisë, dhe në Kosovë”.
“Atje, shërbimet tona duhet të bëjnë punë të rëndësishme të kundërzbulimit dhe inteligjencës. Shërbimet tona, nuk dua të them se janë më të forta se të tjerat në rajon, por guxoj të them se nuk janë më të dobëta”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka folur edhe për vendimin e lëshimit të urdhërarrestit për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
“Kjo çon vetëm në përshkallëzim të mëtutjeshëm. Sot ose nesër, kur të uleni për të biseduar, do të duhet të flisni me Putinin”, ka thënë Vuçiq. “A mendoni si të flisni me të nëse e lini atë urdhëarrest? Si të bëni një marrëveshje? Pse e keni kufizuar veten? Ju sapo keni marrë një angazhim dhe si do ta zbatoni atë, sa jetë rusësh e ukrainasish do të kushtojë, si dhe sa jetë tjera për shkak të ekonomisë”, tha Vuçiq.
Ai ka thënë se ishte një vendim i keq “politik” për ata që e morën dhe që mendojnë se janë afër fitores.
“Ata janë të gjithë shumë larg fitores. As rusët nuk janë afër fitores. Në luftë herë dikush fiton, herë humbin të gjithë dhe kjo është një luftë në të cilën të gjithë humbin”, tha Vuçiq.