Policia e Kosovës njofton se është ndaluar një veturë në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, në të cilën ishin 21 migrantë, ndërsa është arrestuar i dyshuari.
Lajmi u bë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë, ku thuhet se rasti ka ndodhur të shtunën, rreth orës 01:25.
Sipas Policisë, rasti është iniciuar si kontrabandë me migrantë.
“Rr. Prishtinë-Mitrovicë (NN) 25.03.2023 – 01:25. Njësitë policore kanë ndalur një automjet me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar, gjatë kontrollit në automjet janë hasur njëzet e një (21) migrantë, shtetas të huaj”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se migrantët janë duke u trajtuar nga njësitë përkatëse.
“I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.


