Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti janë përplasur të premten në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere rreth situatës në Trustin Pensional, përcjell KosovaNews.
Në lidhje me deklaratat e deputetëve të opozitës për humbjet e milona eurove në Trust, ministri Murati është shprehur i shqetësuar duke u bërë thirrje që të mos shkaktojnë shqetësim tek qytetarët me konstatime në temat që siç ka thënë ai, nuk kanë njohuri të mjaftueshme.
Duke iu drejtuar deputetit të LDK-së, Avdulllah Hoti, ministri Murati ka deklaruar se është totalisht jo serioze të bëhen deklarata të tilla që sulmojnë institucionet e vendit.
“Aktualisht, performanca e fondit pensional për vitin aktual është 1 përqind, më pak se sa përfundimi i vitit të kaluar. Në fonde të tilla prej 1 deri 2 përqind, ndodhin në baza ditore. Është totolishit jo serioze të bëhet një propagandë e tillë që sulmon një institucion siç është fondi pensional.”, ka thënë Murati.
Nga ana tjetër, deputeti Hoti ka vazhduar duke e pyetur ministrin Murati se a ndjehet përgjegjës për këtë situatë në TRUST, duke ia treguar një dokument lidhur me perfomancën ku sipas tij ka rënie që nga 3 marsi.
Duke iu kundërpërgjigjur kësaj, ministri Murati deklaroi se rënia është 1 euro e 61 cent.
“Ju lutem, prapë po ju them, mos hyni në fushat të cilat nuk i kuptoni sepse vetëm po shkaktoni huti dhe panik te qytetarët”, ka thënë ministri Murati, duke iu drejtuar deputetit Hoti.
“Bëhet fjalë për performancë negative prej 1.01 përqind teksa po flasim për tërë vitin. Në vitin e kaluar, performanca ka qenë 5.54 përqind negative edhe pse ka pasë bord, për shkak se performanca nuk varet nga bordi por varet nga luhatjet në treg”, ka thënë ministri Murati./KosovaNews/
Lexo po ashtu:


