Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, është takuar me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, para fillimit të takimit në Ohër në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Përmes një postimi në Facebook, Kovaçevski ka thënë se është nderi i tij të jetë nikoqir i fazës tjetër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Është nderi dhe kënaqësia ime të pres dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës këtu në Ohrin tonë të bukur. Ne jemi një vend që ndërton miqësi dhe është shembull i fqinjësisë së mirë. Ne besojmë shumë në dialogun si një formë komunikimi në shekullin e 21-të, si e vetmja rrugë që të çon drejt progresit dhe zhvillimit. Synimi ynë është të hyjmë në Bashkimin Evropian së bashku me fqinjët tanë. Ballkani Perëndimor i zhvilluar i integruar në BE është një prioritet”, ka shkruar ai.
Kryeministri maqedonas pritet të takohet edhe me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, para takimeve individuale me kryeministrin Kurti dhe presidentin serb, Vuçiq.
Takimi i shumëpërfolur i nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të zhvillohet sot, e shtunë, në Ohër të Maqedonisë.
Që të dy protagonistët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.
Pjesë e takimit do të jetë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit.