Qeveria e Kosovës ka hapur një linjë telefonikë dhe një e-mail adresë për të komunikuar me qytetarët për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës.
“Për prindërit, familjarët dhe dëshmitarët e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, hapëm linjë telefonike dhe e-mail adresë. Na kontaktoni dhe bëhuni pjesë e konsultimeve mbi projektin e memorialit. Tel: 046 222 006 apo e-mail: [email protected]”, thuhet në një njoftim të Qeverisë
Dje në kabinetin e ministrit Hajrulla Çeku, është nënshkruar memorandum mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Universitetit të Prishtinës, i cili siç bëhet e ditur, ka për qëllim konsultimin dhe hartimin e dokumentit narrativ mbi memorializimin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.
Ky memorandum u finalizua me nënshkrim pasi Qeveria e Kosovës po planifikon ndërtimin e një memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Në fakt, vitin e kaluar, Qeveria ka filluar përgatitjet për zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë”.
Për këtë qëllim është themeluar një Komision Ministror e një Grup punues i cili kryesohet nga deputetja Saranda Bogujevci, që gjatë luftës i mbijetoi 16 plumbave të ushtrisë serbe e të cilët ia vranë 14 anëtarë të familjes.
Vit pas viti që nga çlirimi i Kosovës, në qershor të viti 1999-të, mijëra qirinj janë ndezur e kurora me lule janë vendosur në kujtim të 1 mijë e 133 fëmijëve sa besohet se janë vrarë gjatë luftës së fundit në nivel vendi.



