Ndihmësi kryesor i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë në një intervistë të publikuar të premten se Forcat e Armatosura të Ukrainës (AFU) po përgatiten për një kundërofensivë që do të fillojë pas rreth dy muajsh.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Mykhailo Podolyak, këshilltar i kreut të zyrës presidenciale, dha afatin kohor të vlerësuar gjatë një interviste me gazetën italiane La Stampa.
Ai shtoi se ushtria e Ukrainës së pari do të përqendrohet në përpjekjen për të mbajtur kontrollin e qytetit Bakhmut.
Bakhmut ka qenë vendi i luftimeve intensive për disa muaj dhe një vlerësim i fundit nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW) tha se forcat e presidentit rus Vladimir Putin mund të jenë aktualisht shumë të varfëruara nga luftimet në atë qytet dhe zona të tjera për të nisur një ofensivë e madhe.


