Prokuroria Themelore ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve Xh.S., Sh.R., M.B., dhe F.G., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të dyshimit se kanë kryer pesë grabitje të armatosura.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit duke vepruar si grup i përbashkët, kanë kryer grabitje të armatosura në pika të ndryshme të karburanteve në lokacione të ndryshme, me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ne bashkëkryerje “Grabitje” nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Po ashtu, në vendin e ngjarjes, nga Policia si prova materiale janë sekuestruar: Pistoleta e tipit F.B, nr 15567 me një karikator dhe 7 copë fishek te kalibrit 9 mm, pistoletë pa nr.serik me 2 karikator 15 copë fishek te kalibrit 9 mm, një kapelë e zezë dhe një palë dorëza të punës dhe një (1) jelek antiplumb”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas njoftimit të Policisë të lëshuar të mërkurën ata dyshohet se kanë kryer pesë grabitje të armatosura.
“Sektori Rajonal i Hetimeve ka siguruar prova dhe dëshmi të mjaftueshme se këta persona duke vepruar si grup i përbashkët, dyshohet se kanë kryer grabitjet e armatosura në këto lokacione : me datën 11.01.2023 në fshatin Sojevë në pikën e karburantit ‘Veda Petrol’, me datën 16.01.2023 në fshatin Rakaj në pikën e karburantit ‘Ballkan Petrol’, me datën 24.01.2023 grabitjen e një automjeti Tauran në fshatin Mirosale, me datën 26.01.2023 grabitjen e armatosur në zyrat e KEDS në Shtime dhe me datën 25.02.2023 grabitjen e armatosur në hyrje të Shtimes tek pika e karburantit ‘Ibrahimi Petrol’”, thuhet në njoftimin e Policisë të ditës së mërkurë.


