Procesi i Vettingut në Kosovës ka shkuar edhe një hap tutje dhe tashmë do të merr edhe përgjigjen e institucionit më të lartë të vendit për të parë nëse amandamentet e hartuara nga komisioni parlamentar janë në rregull.
Dërgimin e tij në Kushtetuese e ka bërë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe pas përfundimit të punës së Komisionit Ad Hoc për vetingun në sistemin e drejtësisë, sot, i kam përcjellur amendamentet Kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese për të marrë përgjigje nëse të njëjtat janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë kreu i Kuvendit.
Ai tha se është i gëzuar që reforma në drejtësi është në rrugë të mbarë, sepse vetëm përmes saj Republika e Kosovës do të jetë shtet i së drejtës dhe do të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
“I falënderoj anëtarët e Komisionit Ad Hoc, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të drejtësisë, partnerët tanë dhe ekspertët për punën e tyre në këtë proces të rëndësishëm”, ka thënë Konjufca.


