Presidentët e Kinës dhe Bjellorusisë janë bashkuar të mërkurën për të kërkuar armëpushim dhe negociata për të sjellë një zgjidhje politike të konfliktit në Ukrainë.
Thirrja e përbashkët ndodhi në një takim në Pekin midis presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, që njihet edhe si aleat i ngushtë i Rusisë, dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping.
Kjo përbën miratimin e një propozimi paqeje prej 12 pikash të lëshuar të premten nga ana e Kinës, i cili bën thirrje për respektimin e integritetit territorial të të gjitha vendeve.
Propozimi nuk thotë se çfarë do të ndodhte me rajonet e pushtuara nga Rusia që nga pushtimi dhe nuk jep detaje se si duhet të vazhdojë procesi i paqes, , raportoi Associated Press.
“Thelbi i qëndrimit të Kinës është të thërrasë për paqe dhe të inkurajojë bisedimet, dhe që shqetësimet legjitime të sigurisë të të gjitha vendeve të respektohen”, citohet të ketë thënë Xi nga transmetuesi shtetëror kinez CCTV.
Duke iu referuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj, Xi shtoi se vendet përkatëse “duhet të ndalojnë politizimin dhe përdorimin e ekonomisë botërore si mjet të tyre dhe të marrin masa që me të vërtetë avancojnë armëpushimin dhe ndalimin e luftës, si dhe të gjendet një zgjidhje e krizës në mënyrë paqësore”.
Bjellorusia ka mbështetur pozicionin dhe propozimet e Kinës.


