Policia e Kosovës ka njoftuar dje se dy punonjës të postës kryesore në komunën e Rahovecit përfunduan në pranga nën dyshimin se ata kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare dhe kanë falsifikuar para.
Redaksia e KosovaNews raportoi se njëri nga të arrestuarit është ish- kandidati i PDK-së për Rahovec, Bejtullah Deliu.
Për këtë ka reaguar edhe analisti e gazetari Xhevdet Pozhari, i cili ka lënë të nënkuptohet se kjo është njëra nga arsyet pse PDK e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese edhe Ligjin për Byronë.
“Mirëmëngjes! Jo mandej e ka çu PDK-ja në Kushtetuese Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar! Kuptohet, këtë lajm nuk mundeni me e lexu në portale tjera se nuk ka të bëjë me ndonjë anëtar të VV-së”, ka shkruar Pozhari.
Hetuesit policor nga Gjakova ditë më parë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore duke grumbulluar të dhëna se një shumë prej 7000 (shtatë mijë) €, dyshohet të falsifikuara, janë futur në shërbim në postën e Rahovecit.
“Policia ka arrestuar dy të dyshuar, B.D., (viti i lindjes 1983, mashkull kosovar, menaxher në postën në Rahovec) dhe H.D., (viti i lindjes 1989, mashkull kosovar). Në postë janë gjetur dhe konfiskuar, nën dyshimin se janë të falsifikuara, shuma e monedhave prej: 1362 X 2 =2 724 €, 970 X 1= 970 €, 1480 X 0.50=740€, gjithsej 4434 €. Po ashtu, dyshohet se 2566 € janë shpërndarë tek qytetarë që kanë kryer shërbime në këtë postë e të cilët janë mashtruar me këto veprime të të dyshuarve.
Ndërkohë, burime të KosovaNews bëjnë të ditur se të hollat në fjalë që janë falsifikuar, kanë qenë të destinuara për Skema Sociale, pra për qytetarët që marrin ndihmë sociale.


