Policia e Kosovës njofton se është arrestuar E.I (28-vjeç), nën dyshimin për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga Policia, ku thuhet se më 25 shkurt, në stacionin policor Jugu në Prishtinë, është raportuar për një rast kanosje.
“Menjëherë pas raportimit policia ka filluar trajtimin e informacioneve si dhe ka ndërmarrë verimet e nevojshme operativo-hetimore në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar rastin”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se ndërkohë që policia ka punuar në ndriçimin e rrethanave të rastit, ka identifikuar të dyshuarin, i cili mbrëmë është arrestuar nga njësitet e stacionit policor Veriu në Prishtinë.
“Personi i dyshuar pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje, për veprat Kanosje dhe armëmbajtje pa leje, pasi të njejtit i ështe gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri”, njofton policia.


