Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se reshjet e intensitetit të ulët të cilat kanë filluar gjatë ditës së djeshme, në pjesën perëndimore dhe jugore, gradualisht do të përfshijnë pjesën më të madhe të vendit, ku si pasojë gjatë ditës së sotme, nëpër disa zona të lokalizuara mund të paraqiten vërshime të shpejta.
E pas paralajmërimit se mund të ketë vërshime nga reshjet e shiut, Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka kërkuar ngritjen e vigjilencës dhe përcjelljen e situatës nga afër.
Sipas kësaj agjencie, do të ketë gatishmëri Njësi Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH) dhe resurseve tjera për Mbrojtje dhe Shpëtim në nivel Komuna.
“Referuar njoftimit me dt. 26.02.2023 nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) për situatën e pritshme nga të reshurat në pjesë të ndryshme të territorit, Agjencia e Menaxhimit Emergjent MPB kërkon ngritjen e vigjilencës dhe përcjelljen e situatës nga afër, si dhe rritjen e shkallës së gatishmërisë për reagim të kapaciteteve nga Njësit Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH )dhe resurseve tjera për Mbrojtje dhe Shpëtim në nivel Komunal”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se Qendra Operative e Agjencisë Menaxhimit Emergjent(QO AME-s) do të plotësojë me njoftime në kohë reale të gjitha zonat ku të reshurat mundë të shkaktojnë vërshime të shpejta dhe rrëshqitje të dheut përmes sistemit të komunikimit emergjent Qendrat Operative Emergjente 112 (QOE 112 ) në gjithë territorin e vendit.
Ndërkohë sipas Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, situatë më e ngarkuar parashihet të jetë në pjesën perëndimore të vendit, kryesisht në sistemet e lumenjve, Klina, Lumi Istogut, Drini Bardhë (rrjedha e sipërme), Bistrica e Pejës, Deçanit, Ereniku, dhe në lindje, pellgu Morava e Binçës.
“Nga këto prognoza fillimisht meteorologjike me reshje e pastaj hidrologjike me mundësi vërshime në interval afatshkurtër nga shiu plus shkrirja e borës nga zonat e larta malore (derisa bora e re të fillojë të bjerë), problemet lokale janë të mundshme sidomos rrëshqitje dhe shembje të tokës. Pjesa Perëndimore: probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 5-vjeçare është rrethe 30 % ndërsa 20-vjeçare: 3 %.- Pjesa veriore: Probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 5-vjeçare: 41 % ndërsa 20-vjeçare: 27 %”, thuhet në njoftim e IHK-së.


