Me thirrje kundër presidentit rus, Vladimir Putin, dhe për ndaljen e luftës së tij në Ukrainë, është protestuar nëpër kryeqytetet e Amerikës Latine në njëvjetorin e fillimit të pushtimit rus në Ukrainë.
Në Meksikë një grup i refugjatëve rusë janë shprehur kundër luftës, sidomos ndaj presidentit rus. Ndërkaq në Ekuador refugjatët ukrainas kanë bërë thirrje kundër luftës, ashtu siç janë tubuar edhe në Santiago të Kilit. Gratë me veshje tradicionale ukrainase janë shprehur kundër luftës në kryeqytetin kilian. Protesta masive pati edhe në Buenos Aires të Argjentinës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të premten ka thënë se koalicioni i partnerëve që përkrahin Ukrainën kundër Rusisë nuk është i kompletuar pa Afrikën dhe Amerikës Latine. Ai ka bërë thirrje për një takim mes shteteve latine dhe Ukrainës.
Në njëvjetorin e fillimit të luftës presidenti ukrainas ka nderuar luftëtarët ukrainas dhe ka përkujtuar mijëra të vrarë nga forcat ruse.


