Pushtet e opozitë për herë të tretë s’pajtohen për kredinë për reformë të skemës sociale. Mospajtime në mes të pushtetit e opozitës janë shprehur për Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”, i cili në Kuvend të mërkurën ka qenë në rend ditë për herë të tretë.
Pas kundërshtimit të LDK-së, kjo marrëveshje është shtyrë për në seancat e radhës, pasi që kishte rrezik që mos të kalojë dhe të humbet mundësia për reformë dhe rregullimin e stazhit të punëtorëve të viteve 90-ta.
LDK-ja është shprehur kundër marrëveshjes e LVV-ja është deklaruar se nuk do të marr pjesë në votim, në mënyrë që të mos shterej mundësia e fundit për votim të kësaj Marrëveshjeje.
PDK-ja ka kërkuar që mazhoranca të jetë më e përgjegjshme sa i përket numrave e AAK-ja që marrëveshjet ndërkombëtare të mos sillen në Kuvend pa pasur një konsensus për to.
Projektligjin para deputetëve e ka arsyetuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
“E prezantojmë për herë të tretë në Kuvend. Kjo marrëveshje është lidhur me Bankën Botërore. Arseja pse po e sjellim për herë të tretë sepse e konsiderojmë si Qeveri që është një marrëveshje tepër e rëndësishme. Janë me mijëra familje e pensionistë që presin për këtë reformë. Po të mos ishte e kësaj rëndësie nuk do ta sillja për herë të tretë”, ka thënë Murati duke i ftuar deputetët t’i lënë anash, siç ka thënë, inatet politike dhe të mbështesin marrëveshjen në mënyrë që të hapet rruga për reformë.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjë, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se te marrëveshjet ndërkombëtare është krijuar një praktikë që s’ka qenë më herët. Për të mos e shterur edhe mundësinë e fundit për votim të kësaj Marrëveshjeje, ajo ka thënë se Vetëvendosja nuk do të marrë pjesë në votim.
“Sot sipas bisedave Grupi Parlamentar i LDK-së do të votojnë kundër, gjë që e rrezikon të rrëzohet për të tretën herë. Është më se e rëndësishme në dritën e përgjegjësive që i kemi si deputetë në Kuvendin e Kosovës që sa më parë ta mundësojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Kësisoj, GP i LVV-së, nuk merr pjesë në votim. Unë shpresoj dhe uroj që t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të kemi sa më shumë unitet në këto tema”, ka theksuar Kusari-Lila.
Për marrëveshjen është deklaruar edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri
“Ne do ta votojmë këtë marrëveshje. Shihet që sot nuk do të kalojë pas deklarimeve të grupeve por edhe ju si koalicion duhet të jeni më të përgjegjshëm së paku me numrat që i keni”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, ka theksuar se kjo marrëveshje vjen për të tretën herë në Kuvend dhe se nuk ka ndryshuar as pikë e as presje. ”Zonja Kusari tha që t’i thërrasim ndërgjegjes se si po votojmë. Vërtetë është praktikë e re që disa opozitarë të pozicionohen kundër marrëveshjeve ndërkombëtare por gjithashtu është praktikë e re që Qeveria të sjellë në Kuvend marrëveshje për mbështetje direkte buxhetore. Për të tretën herë! A ka buxheti nevojë për këtë financim? Jo. 6 milionë shkojnë në asistencë teknike dhe ju ministër keni qenë kritikuesi më i madh që mjetet të shkojnë në asistencë teknike. 15 milionë shkojnë për kompensim të disa pagesave e 26 milionë për disa skema të reja pensionale për të ardhmen”, ka deklaruar Hoti.
E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që marrëveshjet ndërkombëtare të mos sillen në Kuvend pa u arritur një konsensus për votimin e tyre.
“Është tmerri i tmerrit ky Kuvend të mos mbërrij konsensus për të votuar marrëveshje ndërkombëtare.
Mos sillni marrëveshje ndërkombëtare nëse nuk ka konsensus se bëhemi gaz. Është e rëndësishme të ndërtoni konsensus politik. Është marre për këtë Kuvend me u sjellë kështu”, ka theksuar Tahiri.


