Ndryshime në kabinetin e ministrit Faton Peci, largohet këshilltari Enis Osmani
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci tha se nga muaji tjetër këshilltari Enis Osmani nuk do të jetë pjesë e kabinetit të tij.
Ai bëri këtë deklaratë të mërkurën kur është pyetur se çfarë do të ndërmerrë për këshilltarin e tij, i cili ka një vendim të prerë nga gjykata.
“Fare shkurt për këtë çështje. Ai nuk do të jetë pjesë e kabinetit nga muaji tjetër”, ka thënë ministri Peci, duke treguar kështu largimin e këshilltarit Enis Osmani.
Enis Osmani, gjatë muajit janar është dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë pasi pranoi fajësinë për falsifikim të rezultateve të votimit.
Ai pati deklaruar në gjykatë se kjo ka mundur të ndodhë për shkak të neglizhencës dhe lodhjes.
Sipas aktakuzës, gjatë numërimit të rezultateve, janë hequr votat e disa kandidatëve dhe duke ua shtuar votat disa kandidatëve të tjerë, mandej janë regjistruar në mënyrë të pasaktë gjithsej 246 vota, 228 prej tyre si vota të shtuara dhe 18 prej tyre si vota te hequra, prej tyre të shtuara 56 për PDK, 112 për LDK dhe 60 për LVV dhe të hequra 8 për PDK dhe 10 për LDK.


