Zëvendësiministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, pas rrëshqitjeve të dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në kilometrin e 26-të në mes të Suharekës dhe Prizrenit, ka thënë se për shkaqe sigurie dhe rrezikshmërisë së lartë në këtë segment janë detyruar ta mbyllin përkohësisht qarkullimin rrugor në segmentin nga Suhareka deri në Prizren, ndërsa rruga nga Prizreni në drejtim të Prishtinës është e lirë për qarkullim.
“Të dashur qytetarë, sot ka ndodhur një rrëshqitje e dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në kilometrin e 26-të në mes të Suharekës dhe Prizrenit, rrjedhimisht për shkaqe sigurie dhe rrezikshmërisë së lartë në këtë segment jemi detyruar që ta mbyllim përkohësisht qarkullimin rrugor në segmentin nga Suhareka deri në Prizren, ndërsa rruga nga Prizreni në drejtim të Prishtinës është e lirë për qarkullim” ka thënë Durmishi.
Sipas tij, bashkë me ekipet e mirëmbajtjes janë në terren duke punuar vazhdimisht deri në zhbllokimin e këtij segmenti rrugor, duke marrë kështu të gjitha masat e duhura në mënyrë që nesër ky segment të jetë i lirë për qarkullim.
“Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë rrugë, që nga Suhareka deri në Prizren ta shfrytëzojnë rrugën nacionale N25.
Ju faleminderit për mirëkuptimin!”, shkruan zëvendësministri Durmishi.


