Deputeti Haki Abazi, është intervistuar nga Prokuroria Speciale të martën për rastin e zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari.
Ai tha shkurtimisht se çështja tash i takon Prokurorisë, ndërsa s’ka folur konkretisht nëse ka deponuar ndonjë provë për dëshmitë e tij në rastin “Dehari”.
“Nuk flasë fare, dhe nuk mundem me dhënë asnjë informacion mbi këtë çështje meqë janë çështje të Prokurorisë dhe hetuesisë”, ka thënë Abazi.
Abazi tha se shkarkimi i tij nga dy komisione parlamentare është bërë me vendim të kryeministrit Albin Kurti dhe se është bërë “pikërisht shkaku i guximit të tij për të hapur tema të rëndësishme”.
Në dhjetor të vitit të kaluar në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë zhdukur mostrat e rastit t ë Astrit Deharit. Këtë e kishte bërë të ditur vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Të enjten në një konferencë për medie, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi tha se duhet të kërkohen video-incizimet për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari.
Sipas tij, Prokuroria duhet të intervistojë kryeministrin, Albin Kurti, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe disa persona të tjerë të lidhur me këtë ngjarje.
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, nuk është lejuar të marrë pjesë në intervistimin e deputetit Abazi.
Gashi ka thënë se kjo është në diskrecion të prokurorit të rastit Afrim Shefkiu. Ai ka thënë se e ka deponuar një kërkesë për ta marrë arsyetimin për moslejimin e tij gjatë intervistimit.
Prokurorin Shefkiu, Gashi e ka akuzuar për mostransparencë për rastin dhe e ka përsëritur kërkesën për shkarkimin e tij.


