Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar vizitën te babai i tij i sëmurë në QKUK.
Thaçi ka arritur paraditen e sotme në Kosovë me leje të përkohshme nga Gjykata Speciale në Hagë.
Gjykata Speciale ka bërë të ditur se vizita e Thaçit është nën mbikëqyrje dhe për arsye humanitare bindëse.
“Trupi Gjykues dhe Gjykatësja e Procedurës Paraprake kanë udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikqyrje në Kosovë të Hashim Thaçit për ta takuar babain e tij. Gjatë kësaj vizite nën mbikqyrje, i akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Hashim Thaçi, i cili është në paraburgim nga vitit 2020, nën akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit, kishte qëndruar në Kosovë në maj dhe në shtator të vitit 2023, kur pikërisht për arsye shëndetësore të prindërve të tij, i ishin lejuar vizitat.
Dhomat e Specializuara, së voni kanë konfirmuar edhe aktakuzën e dytë ndaj Thaçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.


