Me me rastin e një raundi të ri të aktiviteteve diplomatike amerikane në rajon, ish ambasadori serb në Berlin, Milovan Bozhinoviq thotë se BE-ja ka treguar se nuk ka fuqi t’i bindë palët në konflikt apo t’i detyrojë ato të bëjnë kompromis.
– Është gjithnjë e më e dukshme që edhe plani Scholz-Macron, me të gjitha modifikimet, nuk do të japë rezultat nëse SHBA-të nuk qëndrojnë më vendosmërisht pas tij. Delegacioni amerikan i paralajmëruar vjen nga strukturat më të larta të administratës amerikane. Është treguar se “të dërguarit specialë” nuk janë në atë nivel dhe të dyja palët, mbi të gjitha asaj serbe, do t’i tregohet se çfarë mund të presë nga Perëndimi në këtë çështje. Të gjithë e shohim që pala shqiptare po paralajmërohet të mos e teprojë me dhunën, por po tregohet mirëkuptim për lëvizjet e saj, për thelbin e tyre politik – shpjegon ai për gazetën “Danas”.
Sipas tij, thelbi është që të binden serbët dhe në korniza të kontrolluara të detyrohen të pranojnë se vendi i tyre është Kosova dhe se të gjitha problemet e tyre mund dhe duhet të zgjidhen vetëm në ato korniza, transmeton KosovaNews
– Nuk ka shenja, nuk mendoj se ka ndonjë perspektivë, që Perëndimi të heqë dorë nga ajo premisë. Kjo kërkesë është, me zhvillimin e ngjarjeve të muajve të fundit, udhëkryqi në të cilin është gjetur politika serbe për Kosovën. Për Serbinë, jo vetëm Serbinë zyrtare, por edhe shumicën e qytetarëve, kjo do të thotë se duhet të heqim dorë nga shumë dogma dhe keqkuptime që qarkullojnë prej kohësh apo edhe inkurajohen në mënyrë jokritike në opinion – thotë Bozhinoviq.
Siç shton ai, janë të gjitha mundësitë që për Kosovën dhe shqiptarët të mendohen ndryshe.
– Se, për shembull, mund të bashkëpunohet ose që përfaqësuesit politikë të serbëve nuk mund të jenë kukulla të Beogradit, sepse kjo është gisht në sy të shqiptarëve. Për më tepër, mendoj se Serbisë dhe serbëve të Kosovës u ka mbetur pak kohë për të kryer këtë revolucion politik dhe mendor dhe se miku i tyre i vërtetë është vetëm qeveria serbe që do t’i ndihmojë ata të pranojnë këto të vërteta jo aq të lehta. Ky, sipas të kuptuarit tim të rrethanave aktuale, është drejtimi në të cilin ata po lëvizin dhe është e vështirë të imagjinohet se, në kontekstin e gjuhës ndryshe më të ashpër politike të kushtëzuar nga lufta në Ukrainë, delegacioni amerikan do të ndryshojë rrënjësisht diçka aty – përfundon Bozhinoviq./KosovaNews/