Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor Blerim Avdiun, i cili nga Prokuroria po akuzohet se ka kanosur ministrin në detyrë Faton Peci.
Sipas Aktgjykimit të shpallur, Blerim Avdiu për veprën penale “Kanosja” u dënua me 6 muaj burgim efektiv të cilin dënim i akuzuari do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I pandehuri Blerim Avdiu po akuzohet se më 02.03.2025, përmes rrjetit social Facebook, me dashje, e ka “kanosur seriozisht” ministrin në detyrë Faton Peci, duke i dërguar mesazh me fjalë fyese dhe kanosëse.
Shpallja e Aktgjykimit u bë të mërkurën, më 28.05.2025, nga gjyqtarja Valbonë Fejza.
Sipas aktgjykimit të shpallur në dënimin me burgim të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14.03.2025 deri me datë 26.05. 2025 si dhe masa në arrestin shtëpiak nga data 26.03.2025 deri me datë 13.04.2025.
Obligohet i dënuari që në emër të shoenzimeve të procedurës të pagujë 20 euro në emër të Paushallit gjyqësor, si dhe 20 euro në Fondin për Kompenzimin e Viktimave të Krimit.
Në shpallje të aktgjykimit prezent nuk ishin asnjë nga palët në procedurë.
Pala e dëmtuar për realizmin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontekst të rregullt juridiko-civil.
Palët e pakënaqura kundër këtij Aktgjykimi kanë të drejtë Ankese në Gjykatën e Apelit.
Kujtojmë se në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me datë 26.05.2025 i pandehuri Avdiu e kishte pranuar fajsinë dhe i kishte kërkuar falje ministrit në detyrë Faton Peci.
Dosja e Prokurorisë:
Sipas Aktakuzës, më 26.03.2025, Blerim Avdiu po akuzohet se më 02.03.2025, me rastin e një postimi të një fotostorie në Facebook, nga i dëmtuari Faton Peci si Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me dashje e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin duke i dërguar mesazh me fjalë fyese dhe kanosëse, si: “Kryekriminel, ti q* edhe ata të vdekurit. Unë kam me të vra, jo tjetër kush. Kryekriminel, ti gjallë e unë gjallë! Nuk kemi me jetu. Njo po t’tham, qat dit që të m’rri në Ks asnjani nuk kena me kanë këtë jetë, o bir sh, o bir sh*, ta dishë edhe vorrin e nanës. Kryeminel, mos harro më 28 maj jam në kufi. Veç me ardh me të v ty kam me ardh. Dije mirë!”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit për jetë.
Me këtë i pandehuri Blerim Avdiu po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja”.