Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për asambliste në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Mimoza Bushrani, ka reaguar ashpër ndaj menaxhimit të projektit të shkollës së re në lagjen Dardania 2, duke e quajtur atë “monument të paaftësisë dhe propagandës” së qeverisjes lokale, shkruan KosovaNews.
Në një postim të publikuar sot, e shoqëruar edhe me një video nga terreni, Bushrani tha se shkolla, e ndërtuar me një investim prej 5.2 milionë euro nga Bashkimi Evropian, ishte menduar të ishte simbol i edukimit dhe sigurisë, por në realitet është shndërruar në “fasadë propagandistike” nën drejtimin e kryetarit Shaqir Totaj.
Sipas saj, pavarësisht përurimit, infrastruktura përreth shkollës është e papërfunduar: rrugët janë të paasfaltuara, mungojnë trotuaret, kanalizimi dhe ujësjellësi nuk janë funksionalë, ndërsa ndriçimi publik është inekzistent.
“Totaj përuron, fotografohet dhe shpërndan propagandë si hero, ndërsa fëmijët rrezikojnë çdo hap. Ky nuk është vetëm një dështim – është turpi më i madh i Prizrenit”, theksoi Bushrani.
Ajo shtoi se përurimi i objektit nuk është fitore, por “një shfaqje propagandistike ku jeta dhe arsimimi i fëmijëve nuk vlejnë asgjë”.


