Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se zgjedhjet janë skenari i fundit, megjithatë ai u shpreh se janë të gatshëm. Pas dështimit të përpjekjes së shtatë për konstituimin e Kuvendit, ai tha se sot “pati progres dhe rënie të votave kundër për kryeparlamentare”. Në vazhdimin e seancës konstituive të dielën morën pjesë 109 deputetë, nga 120 sa janë betuar.
Albulena Haxhiu mori 57 vota për, kundër saj votuan 41 deputetë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, ndërkaq, tre deputetët e Nismës Socialdemokrate abstenuan sërish.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se partitë kundërshtojnë takimet konsultative, derisa u pyet se a po negociojnë me PDK-në.
“Ftesa ka qenë publike për konsensus politik, në mënyrë që të dakordohemi për të ecur përpara. Këtë ftesë e ka bërë kryesuesi i seancës, ne jemi të gatshëm si subjekt, si partia fituese dhe partia më e madhe me grupin më të madh parlamentar të marrim pjesë sa herë na ftojnë, jemi të gatshëm edhe të ofrojmë zgjidhje përpara. Megjithatë, i shihni se janë partitë tjera që kategorikisht si subjekte kundërshtojnë ose nuk marrin pjesë. Megjithatë, kemi parë deklarime të deputetëve individual që kanë shprehur gatishmërinë që të japin kontributin e tyre pozitiv për të çuar këtë proces përpara”, deklaroi Murati.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati thotë se bllokada po bëhet nga opozita me votë kundër për kryeparlamentare.
“Sot e pamë një progres, e pamë një ndryshim tek votat kundër pati një rënie. Herën e kaluar kishin qenë 46 vota, kurse sot i patëm 41 vota. Shpresoj dhe uroj në mënyrë që të mos kemi këtë betejën e çdo 48 orëve, ku duhet të dalim këtu dhe të vijmë të deklarojmë se pse dështoi dhe kush e ka fajin. Shpresoj dhe uroj që këto vota që sot ishin kundër të bëjnë hapin e radhës dhe deri në seancën tjetër të marrin përgjegjësinë që ua ka dhënë qytetari, mos të refuzojnë mandatin e tyre dhe të votojnë për konstitutim të Kuvendit”, u shpreh ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se zgjedhjet janë skenari i fundit për partinë fituese.
“Skenari apo opsioni për të shkuar në zgjedhje mbetet skenari i fundit për neve si subjekt fitues, nuk është që nuk jemi të gatshëm, ne do të ishim të gatshëm të shkojmë në zgjedhje, megjithatë ne mendojmë se qytetari e ka thënë fjalën e vet dhe të gjitha subjektet duhet të pajtohen me atë rezultat tash sado që mund të mos i pëlqejë dikujt”, tha ai.