Kryetari I Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se I takon Lëvizjes Vetëvendosje të bëjë zgjidhje, pasi me partitë tjera e ka një shumicë minimale.
Ai pas dështimit të shtatë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se nuk e di pse LVV nuk po bën zgjidhje.
“I pari të bëjë zgjidhje si i pari, t’i bëjë votat, e ka edhe një shumicë minimale me partitë tjera, nuk e di pse nuk po e votojnë”, tha ai.
Për të shtatën herë me radhë ka dështuar të konstituohet legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, sërish ka nominuar Albulena Haxhiut si kryeparlamentare, mirëpo ajo sërish mori vetëm 57 vota për, nga 61 vota të nevojshme për të marrë këtë post.
Kundër saj votuan 41 deputetë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, ndërkaq, tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë.
Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk morën pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.