Kryetari i PDK, Memli Krasniqi, tha se Vetëvendosje me forcë po dëshiron që të bëjë kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu.
Pas dështimit të vazhdimit të sotëm të seancës konstituive, Krasniqi tha se kjo bllokadë është e qëllimshme nga ana e Vetëvendosjes, pasi Albin Kurti, sipas tij, nuk po mund t’i bëjë votat për kryeministër dhe me këtë rast është duke e sakrifikuar deputeten Haxhiu.
“Nuk kalon Albulena Haxhiu. Rruga e vetme drejt zhbllokimit është që ata të tërhiqen nga kandidatja. Nuk mbahet shteti peng për një njeri. Qeveria aktuale nuk ka legjitimitet. Në anën tjetër, ka veprime të institucioneve, siç ka qenë rasti i ZRRE-së. Ne po e shohim se ata numrat nuk i kanë. Bllokada është më shumë për Albin Kurtin. Së paku janë dy emra që mund të kalojnë. S’ka vota për Albin Kurtin para se gjithash. Për këtë është duke mbajtur peng këtë gjendje. Nuk na takon neve t’i themi presidentes se çka të bëjë. Ajo e ka kryer punën e vet, e ka thirrur seancën”, tha Krasniqi.
Ai Krasniqi deklaroi se “insistimi arbitrar i Vetëvendosjes për Albulena Haxhiun po pamundëson që të lëvizet nga ky pozicion”.
“Sot janë bërë një muaj që nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. Dhe ne ende nuk kemi as kuvend të konstituuar e as qeveri legjitime, krejt kjo po ndodhë për shkak të tekeve të Lëvizjes Vetëvendosje për të mbajtur shtetin peng për shkak të një njeriu. Është absolutisht e pakuptueshme që edhe herën e shtatë vijnë këtu me mandatin qytetar për t’i dhënë vendit institucione të reja që burojnë nga verdikti i qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit. Por insistimi arbitrar i Vetëvendosjes për Albulena Haxhiun po e pamundëson që të lëvizim nga ky pozicion”, u shpreh ai.
Krasniqi tha se rruga e vetme drejt zhbllokimit është që Lëvizja Vetëvendosje të ketë propozime të reja.
“Prandaj edhe sot ftesa ime është e njëjtë siç ka qenë ditën e parë: ndërrone kandidaten, kërkoni kandidat që e merr besimin e shumicës së parlamentit sepse përndryshe vërtetë është e papranueshme, është e turpshme e mbi të gjitha është dëmtuese për vendit tonë. Besoj që rruga e vetme drejt zhbllokimit është që ata të tërhiqen nga ky mentalitet bllokues dhe të vijnë me propozime të reja ”, shtoi Krasniqi.
Kreu i PDK-së tha se Albin Kurti “po e sakrifikon Albulena Haxhiun”, meqë nuk ka numra.
“Ne po e shohim qartë ata numra nuk kanë, bllokada këtu më shumë se për Albulena Haxhiun është për Albin Kurtin, sepse Albin Kurti nuk po mundet të bëhet kryeministër. Dhe duke mos dashur që të bllokohet tek emri i tij, normal që e sakrifikon Albulena Haxhiun. Po duke e bërë këtë sakrificë në thonjëza, ai është duke e sakrifikuar krejt shtetin edhe qytetarët e Kosovës të cilët na ka lënë të gjithëve bashkë pa institucione legjitime”, përfundoi Krasniqi.