Xhemajl Shala, Sadik Shala, Iskender Sale dhe Alban Gashi të akuzuar për shitblerje të narkotikëve dhe vepra tjera penale u dënuan me 26 vjet burgim dhe 65 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi u shpall të martën.
Sipas këtij aktgjykimi, Xhemajl Shala dhe Iskender Sale për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge”, secili veç e veç u dënuan me nga 8 vjet e 6 muaj burgim dhe nga 25 mijë euro gjobë.
Po ashtu, ata për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” u dënuan me nga 1 vit burgim.
Mirëpo, ndaj tyre u shqiptua dënimi unik për secilin veç e veç nga 9 vjet burgim, në të cilin dënim do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe 25 mijë euro gjobë.
Ndaj të akuzuarit Sadik Shala për veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge” u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vjet, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, Po ashtu u dënua edhe me 15 mijë euro gjobë.
I akuzuari Alban Gashi për veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale” u dënua me 1 vit burgim, ndërsa për veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rreme” në mungesë të provave, u lirua nga akuza.
I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Labinot Zenelaj, mirëpo ndaj tij gjykata kishte bërë veçimin e procedurës penale, pasi ai kishte pranuar fajësinë dhe më 10 mars 2021, ishte dënuar me një vit burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë për veprën penale të mashtrimit.
Prokuroria Speciale e Kosovës, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Xhemal Shalës, Sadik Shalës, Iskender Sale, Alban Gashi dhe Labinot Zenelaj, për shkak se, sipas aktakuzës, të akuzuarit Shala dhe ai Sale, si shtetas turk, duke vepruar si grup kriminal, i shtrirë në territorin e shtetit të Iranit, Shqipërisë dhe Kosovës, kishin blerë dhe poseduar substanca narkotike të llojit heroinë.
Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2018, kishin blerë heroinë nga Iraku, e cila kishte arritur me maune në pllaka të mermerit në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë.
Siç thuhet në aktakuzë, me qëllim të shmangies nga ndjekja penale, të pandehurit kanë bërë ndërrimin e identiteteve, ashtu që i ndjeri N.C. ka siguruar identitetin Lavdim Nimani dhe Lulzim Shala, i akuzuari Sale ka ndërruar identitetin duke u quajtur Mehmet Gjini, kurse i akuzuari Xhemal Shala si Skender Sheremeti.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sadik Shala më 14 shkurt 2017, ka regjistruar një biznes në emrin e tij me seli në Ferizaj, i cili gjatë vitit 2017-2018 ka eksportuar gjithsej 19 maune me pllaka të mermerit dhe gurë dekorues, ku në eksportin e fundit, ishin eksportuar gjashtë maunë pllaka të mermerit, e në njërën nga këto maune në 10 paketime të pllakave, ishin krijuar nga dy bunkerë ku ishte vendosur heroina me peshë bruto prej rreth 113 kg, e cila është konfiskuar në banesën e tashmë të ndjerit N.C. në Prishtinë. / BetimiPërDrejtësi


