Qeveria e Republikës së Kosovës ka publikuar programin e manifestimeve shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Festimet do të zhvillohen gjatë gjithë ditës së martë, më 17 shkurt 2026, me aktivitete të shumta zyrtare dhe përkujtimore.
Dita nis në orën 07:00 me ngritjen ceremoniale të Flamurit të Republikës së Kosovës, ndërsa në orën 07:20 Qeveria do të mbajë mbledhjen e saj solemne. Nga ora 07:30 deri në 08:10 do të zhvillohen homazhe te Monumenti i të Pagjeturve, te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë, si dhe te varret e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi. Në orën 09:00 janë paraparë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Momenti qendror institucional i ditës do të jetë seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet në orën 10:30. Pas homazheve te Monumenti “Heroinat” në orën 11:25, në orën 11:30 do të mbahet parakalimi solemn i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në sheshet e kryeqytetit.
Mbrëmja do të shënohet me pritjen shtetërore të organizuar nga Presidentja e Republikës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri, duke filluar nga ora 17:30. Manifestimet do të përmbyllen në orën 20:00 me një koncert solemn të Filharmonisë së Kosovës.



